Në repartin ushtarak në zonën e Surrelit, në dimrin e vitit 1991, zbritën grupet e para me shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët u stërvitën nga oficerët e ushtrisë shqiptare. Këtu u zhvillua gjithçka… U stërvitën dy grupe, mes të cilëve emra legjendarë të luftës shqiptare në Kosovë: Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çekaj, Ilaz Kodra e të tjerë.
Sipas këtij plani të hartuar me kujdes, grupi i parë i shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia zbriti në Shqipëri më 1 tetor 1991 dhe, po në këtë ditë, u soll në repartin e Surrelit. Sigurisht, asgjë nuk ishte e thjeshtë, sepse ata duhej të udhëtonin nga Prishtina dhe Shkupi, përmes Zvicrës e Italisë, dhe më pas të hynin në Shqipëri përmes detit, pa rënë në sy të autoriteteve serbe, të cilat në atë kohë ndiqnin çdo lëvizje.
Grupi i dytë zbriti pak ditë pas largimit të grupit të parë. Ai mbërriti në nëntor 1991 dhe u stërvit deri në ditët e para të dhjetorit 1991.
Grupi i parë kishte në përbërje figura si Sali Çekaj dhe Zahir Pajaziti.
Grupi i dytë kishte në përbërje Adem Jasharin, Ilaz Kodrën e shumë të tjerë. Sali Çekaj ishte pjesëtar edhe i grupit të dytë.
Të dy grupet përfshinin mbi 100 djem, të cilët, në pjesën dërrmuese, përveç atyre që vinin nga e njëjta krahinë e Kosovës apo Maqedonisë, nuk njihnin njëri-tjetrin. Justifikimi përballë autoriteteve ishte se ata po udhëtonin drejt Zvicrës për të gjetur punë dhe për të siguruar më shumë të ardhura për familjet e tyre. Madje, ishin porositur që të mos u tregonin asgjë as familjeve për planin e tyre të vërtetë.
Kastriot Hoxha dhe Hysen Ymeri, dy ushtarakë të lartë, sot të ndjerë, u caktuan për të stërvitur grupet në planin taktiko–zbulues. Ylli Mici, si shef i Katedrës së Zjarrit, dhe Agron Dhimarko do të drejtonin stërvitjen në njohjen e armatimit dhe përgatitjen për qitje. Eduard Abazi duhej t’u bënte vullnetarëve përgatitjen xheniere, Artan Gjika – atë mjekësore, Alfred Disha – mbrojtjen ndaj armëve kimike dhe përdorimin e kundragazeve, ndërsa Ramazan Zelija dhe Roland Lako do të merreshin me përgatitjen fizike të tyre. Kjo ishte lista e oficerëve të ngarkuar nga autoritetet e kohës për t’u marrë drejtpërdrejt me stërvitjen e vullnetarëve.
Të dy grupet u stërvitën në bazën e Surrelit dhe më pas kaluan në Kosovë. Ishte një stërvitje e detajuar për të gjitha sektorët — sekrete dhe e organizuar, që shënon stërvitjen e parë të një grupi të strukturuar djemsh me synim çlirimin e Kosovës. Kjo stërvitje u pasua në vitet në vijim nga shumë stërvitje të tjera sekrete, të zhvilluara në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Për të përkujtuar këto dy grupe të para, por mbi të gjitha dëshmorët, është inauguruar ky memorial në hyrje të repartit të dikurshëm. Memoriali synon të përcjellë mesazhin e bashkimit, të qëndrimit bashkë dhe të faktit se përpjekjet për liri kanë qenë gjithmonë të përbashkëta.
Memoriali përbëhet nga një gur masiv rreth 3 metra i lartë. Në të janë vendosur disa pllaka: e para përmban emrat e dëshmorëve që u stërvitën në këtë bazë dhe ranë në Luftën e Kosovës; pllaka e dytë përfshin të gjithë emrat e atyre që u stërvitën në këtë bazë në tetor–nëntor 1991; ndërsa pllaka e tretë mban emrat e oficerëve që i stërvitën. Mbi monumentin, i cili ka një lartësi rreth 5 metra, është vendosur një shqiponjë e madhe prej bronzi, në pozicion për t’u nisur në fluturim. Është ndërtuar sheshi përpara monumentit, janë bërë shkallaret, ndriçimi dhe mbjellja e pemëve dekorative. Projekti, në tërësi, ka kapur vlerën e 34 mijë eurove dhe është inauguruar më 10 shkurt 2024.
Fondacioni “Shqipëria Tjetër” mbështet çdo person që do të kontribuojë në projektet tona të ardhshme.