Shtatorja e Mbretëreshës Teuta

Shtatorja e Mbretëreshës Teuta

Në vitin 2022 nisi projekti për ngritjen e një shtatoreje madhështore kushtuar Mbretëreshës Teuta, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së lashtë ilire dhe simbol i forcës dhe dinjitetit kombëtar.

Më 18 nëntor 2022, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u zhvillua konkursi për përzgjedhjen e veprës fituese. Në këtë konkurs morën pjesë 21 skulptorë me bocetet e tyre, ndërsa juria përbëhej nga personalitete të njohura të artit dhe kulturës: skulptorët Mumtaz Dhrami, Thoma Thomai dhe Artan Peqini, arkeologu Skënder Muçaj dhe gazetari Marin Mema.

Në përfundim të konkursit, si fituese u shpall vepra e skulptorit Julian Muçollari. Pas një periudhe të gjatë pune, për shkak të përmasave të konsiderueshme të veprës, shtatorja e Mbretëreshës Teuta u përfundua në vitin 2024, duke tejkaluar edhe dimensionet fillestare të parashikuara.

Aktualisht, janë zhvilluar diskutime me disa bashki në vend për vendosjen e monumentit, me të cilat nuk u dakortësua, sikurse ajo e Durrësit, Shkodrës dhe Tiranës, ndërsa është ndërmarrë procesi ligjor për vendosjen e saj në territorin e Bashkisë Lezhë.

Sipas projektit, shtatorja e vendosur do të ketë një lartësi totale prej rreth 7.85 metrash. Figura e Mbretëreshës do të jetë 3.7 metra e lartë, shtiza që mban – 5.45 metra, ndërsa bazamenti do të ketë një lartësi nga 2 deri në 2.4 metra. Vepra është realizuar në bronz dhe përbën të parën e këtij lloji në Shqipëri, si për përmasat, ashtu edhe për trajtimin artistik.

Kostoja përfundimtare e projektit është 52 mijë euro.
Fotografitë e veprës së përfunduar nuk do të publikohen deri në përfundimin e procedurave ligjore, për të shmangur çdo problematikë që lidhet me të drejtat e autorit

Të Tjera

Projekte

Dëshiron të bëhesh vullnetar?

Fondacioni “Shqipëria Tjetër” mbështet çdo person që do të kontribuojë në projektet tona të ardhshme.